Vuçiq “injoron” BE-në, nuk tërhiqet nga vendimi: Më 9 maj do të jem në paradën e ushtrisë në Moskë me ftesë të Putin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën se nuk e ka ndryshuar vendimin për të udhëtuar në Rusi, për të marrë pjesë në festën ruse të “Ditës së Fitores” në Luftën e Dytë Botërore, më 9 maj në Moskë.
Në një fjalim drejtuar publikut, Vuçiç tha se do të jetë në kryeqytetin rus me një njësi të Ushtrisë së Serbisë, e cila do të marrë pjesë në ceremoni.
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të Vladimir Putinit në Moskë muajin e ardhshëm.
“E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat i BE-së të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, tha Kallas të hënën, duke iu referuar kryesisht gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që shpresojnë t’i bashkohen bllokut.