Vuçiç pas takimit me Lajçak: E paralajmërova për veprimet e Prishtinës

Vuçiç pas takimit me Lajçak: E paralajmërova për veprimet e Prishtinës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të mërkurën se e ka paralajmëruar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, për veprimet e Prishtinës në procesin e dialogut. Dy zyrtarët kanë zhvilluar takime në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.

“Bisedë e hapur me Mirosllav Lajçakun për situatën në Kosovë dhe Metohi dhe kërcënimet me të cilat përballet popullata serbe çdo ditë, të cilat kërcënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit”, ka thënë Vuçiç përmes një postimi në Instagram.

Vuçiç i ka përsëritur disa herë ato që i konsideron kërcënime ndaj popullatës serbe në Kosovë, por pa ofruar fakte për pretendimet e tij. Sipas Vuçiçit, Serbia ka qasje të përgjegjshme në dialogun mes dy vendeve, por janë veprimet e Prishtinës ato që “vënë në pikëpyetje gjithçka që është arritur deri më tani në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”.

Vetë Lajçak ka thënë pas takimit se me presidentin serb ka diskutuar për çështje urgjente.

“Pata diskutim të rëndësishëm me presidentin Vuçiq për zhvillimet e fundit në dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, si dhe për hapat e ardhshëm në periudhën pasuese”, ka thënë mes tjerash Lajçak përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

MARKETING