Von der Leyen: Kërcënimi i tarifave rrezikon furnizimin, energjia e besueshme është jetike

“Ne po përballemi me një paradigmë të re për sigurinë energjetike në Evropë”, tha von der Leyen në Samitin Ndërkombëtar për të Ardhmen e Sigurisë së Energjisë në Londër, duke përmendur luftën e Rusisë në Ukrainë dhe sulmet e grupit Houthi në Lindjen e Mesme.
Ajo gjithashtu foli mbi politikën e tarifave të presidentit amerikan, Donald Trump, duke theksuar se “përtej Atlantikut, kërcënimi i tarifave rrezikon ndërprerje të mëtejshme të zinxhirëve thelbësor të furnizimit”.
Shefja e Komisionit të BE-së theksoi se energjia e besueshme dhe e përballueshme është gjaku i ekonomisë. “Ajo mbështet sigurinë tonë kombëtare dhe mbështet konkurrencën tonë industriale dhe ekonomike”, tha von der Leyen, duke shtuar se komisari i energjisë i bllokut evropian, Dan Jorgense, do të paraqesë një plan veprimi me masa konkrete për “të hequr gradualisht të gjitha importet e lëndëve djegëse fosile ruse”.
Duke iu referuar “progresit tashmë të dukshëm” në kalimin në energjinë e rinovueshme, von der Leyen kujtoi se burimet e rinovueshme tani përbëjnë 47 për qind të përzierjes së energjisë elektrike të BE-së.
Ajo theksoi se energjia diellore dhe e erës janë dy burimet e energjisë me rritjen më të shpejtë dhe se BE-ja instaloi 78 gigavat kapacitet të ri të rinovoueshëm vetëm në vitin 2024.
Duke përsëritur sfidat rreth sigurisë energjetike, von der Leyen tha se sfidat globale kërkojnë një përgjigje kolektive.
“Ne kemi nevojë për bashkëpunim më të madh në të gjithë zinxhirin e vlerës së energjisë”, shtoi ajo.