Von Cramon: Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë

Von Cramon: Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se liberalizimi i vizave për Kosovën nuk duhet të lidhet me dialogun me Serbinë.

Von Cramon në postimin e bërë në Twitter ka shkruar se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizimin e vizave dhe se BE duhet ta mbajë premtimin, transmeton Telegrafi.

“Ne duam të jemi të qartë – udhëtimi pa viza nuk është dhe nuk duhet të lidhet me Dialogun me Serbinë. Bashkimi Evropian duhet të mbajë premtimin e saj duke lejuar qytetarët e Kosovës të udhëtojnë lirshëm që nga 1 janari 2024”, thotë ajo.

Ky reagim i eurodeputetes vjen pas deklaratës së presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili ka thënë se presin që edhe Kosova dhe Serbia të kenë angazhim të qartë për rrugën përpara.

Presidenti francez ka paralajmëruar masa nëse të dyja vendet “nuk sillen me përgjegjësi”

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron.

Ndryshe, Parlamenti Evropian para disa muajsh ka njoftuar se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza nga 1 janari 2024.

“Pritja ka përfunduar: populli i Kosovës mund të udhëtojë pa viza në BE. Kosovarët do të lejohen të udhëtojnë në BE pa kërkuar vizë, për periudha deri në 90 ditë. Parlamenti ka miratuar marrëveshjen për udhëtimin pa viza që pritet të hyjë në fuqi më së voni deri në vitin 2024″, thuhet në njoftimin e Parlamentit Evropian. /Telegrafi/

MARKETING