Von Cramon: BE dhe NATO të dalin me plan të ri për Kosovën
Disa eurodeputetë kanë kërkuar sanksionimin e Serbisë gjatë një seance për Kosovën në Parlamentin Evropian (PE) të martën, ku u diskutua për sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serbësh javë më parë në veri të vendit.
Deputetja gjermane Viola von Cramon – e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE – tha se “sulmi brutal dëshmon se nuk mund ta marrim lirinë si të garantuar në Evropë.”
Ajo nënvizoi se lidhjet e Radoiçiqit me Beogradin zyrtar “janë më se evidente”, dhe se Serbia “menjëherë” duhet t’i tërheqë të gjitha trupat nga kufiri me Kosovën.
“BE-ja dhe NATO-ja duhet të dalin me plan të ri për Kosovën. Gjermania duhet ta ndjekë shembullin e Britanisë për të rritur praninë ushtarake në Kosovë“, tha ajo, duke iu referuar vendimit të javës së kaluar të Britanisë së Madhe për dërgimin e 200 trupave shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Në debat pati shumë kritika edhe për politikën e BE-së ndaj Serbisë dhe për neglizhencën ndaj ndikimit të Rusisë në rajon. Disa deputet bënë thirrje për hetime ndërkombëtare dhe që përgjegjësit e sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri të vihen para drejtësisë.
Disa eurodeputetë madje kërkuan që Serbisë t’i ngrihen fondet derisa të kryhen hetimet. Ata e kritikuan BE-në për “përdorimin e një politike të butë” ndaj Serbisë, për trajtimin e Vuçiqit si mik, duke i dhënë fonde dhe duke hezituar ta dënojnë pushtetin e tij.
Parlamenti Evropian në seancën e ardhshme gjatë muajit tetor do ta miratojë dhe një rezolutë të veçantë për situatën në Kosovë.