VLEN: Shkolla është rruga drejt ëndrrave, suksese për nxënësit dhe mësimdhënësit!

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, koalicioni qeverisës VLEN ka përcjellë një urim të veçantë për nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit, duke theksuar rëndësinë e arsimit si themel i zhvillimit shoqëror dhe kombëtar.
Në mesazhin e tyre thuhet se ky është një moment i veçantë, sidomos për fëmijët që sot për herë të parë ulen në bankat shkollore, për të nisur një rrugëtim të ri të mbushur me dije, emocione dhe ëndrra. “Ky rrugëtim do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e tyre, por edhe të ardhmen e vendit tonë,” thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Koalicioni thekson përkushtimin e tij për të ndërtuar një sistem arsimor më cilësor dhe gjithëpërfshirës, duke garantuar kushte më të mira në shkolla, mësimdhënie bashkëkohore dhe përgatitje të rinisë për sfidat e së ardhmes.
Një ndër hapat konkretë që tashmë është ndërmarrë është masa “Shporta shkollore”, e cila ka për qëllim uljen e çmimeve të mjeteve shkollore dhe lehtësimin e barrës financiare për prindërit. VLEN thekson se kjo është vetëm faza e parë e një angazhimi më të gjerë për ta bërë arsimin më të qasshëm, më të drejtë dhe më cilësor për të gjithë fëmijët.