Vjosa Osmani: Kosova dënon çdo veprim që minon themelet e Bosnjë e Hercegovinës

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova i bashkohet deklaratës së Sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, rreth veprimeve të presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, në Bosnjë e Hercegovinë.
Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale tha se i bashkohet deklaratës së Rubios duke qëndruar në “solidaritet të plotë me popullin e Bosnjë e Hercegovinës, duke riafirmuar mbështetjen tonë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”.
Presidentja kosovare tha se Kosova dënon çdo veprim që minon themelet e Bosnjë dhe Hercegovinës.
“Ne gjithashtu dënojmë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje dhe Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për të arritur – përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane”, shkroi Osmani.
Osmani tutje tha se angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet parësor për të siguruar që rajoni të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike.
“Jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim”, shtoi presidentja kosovare.
Sekretari Rubio tha së fundi se veprimet e presidentit të Republika Sërpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj, duke theksuar se ShBA-ja inkurajon liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm.
“Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, shkroi Rubio.
Javën e kaluar, Asambleja Kombëtare e RS-së (NSRS) votoi për ndalimin e veprimtarive në entitetin RS të institucioneve shtetërore VSTV, Prokurorisë së BeH-së, Gjykatës së BeH-së dhe SIPA.
Dodik, i cili njoftoi se kishte firmosur vendime që ishin në kundërshtim me kushtetutën e vendit, ka deklaruar se nuk do t’u përgjigjej thirrjeve nga gjykata apo prokuroria pas hyrjes në fuqi të të ashtuquajturave ligje dhe se do të mbrohej nga policia e RS-së.
Në mediat vendase u raportua se serbët e BeH-së që punojnë në katër institucione në RS, aktivitetet e të cilëve do të pezullohen, duhet të japin dorëheqjen nga puna ose të përballen me dënime me burg, si pjesë e hapave të ndërmarra nga Dodik të cilat thuhet se synojnë “krijimin e panikut në publik”. Mediat vendase i cilësuan këto vendime nga Dodik dhe NSRS si një “grusht shteti”.
Vendimet në fjalë u morën pasi Gjykata e BeH-së e dënoi Dodikun me 1 vit burg dhe 6 vjet ndalesë në veprimtari politike për “mosrespektim të vendimeve të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR)”.