Viktima dhe dëme të rënda nga stuhitë në SHBA – tornado dhe breshri kërcënojnë miliona amerikanë

Gjashtë persona kanë vdekur pasi stuhitë e fuqishme goditën pjesë të mëdha të SHBA-së.
Autoritetet në Misuri thonë se tre persona vdiqën atje, ndërsa tre të tjerë u vranë në aksidente automobilistike gjatë stuhive në Teksas.
Bëhet e ditur se rreth 138 milionë njerëz janë në rrezik të motit të keq në shtetet qendrore dhe jugore të SHBA-së.
Paralajmërimet për tornado janë lëshuar në pjesë të Illinois, Missouri, Arkansas, Mississippi, Indiana dhe Kentucky, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Në Misuri, ku u shpall një gjendje e jashtëzakonshme të premten, parashikohen tornado EF2, që kërkojnë shpejtësi të erës midis 181-252 km/h.
Breshër në madhësinë e topave të bejsbollit u raportua në Christian County, njoftoi shërbimi amerikan i motit.
Automjete të mëdha u fotografuan gjithashtu të përmbysura në të gjithë shtetin.
Raportohet se moti ekstrem ka shkatërruar ndërtesa, ka rrezikuar furnizimin me energji elektrike dhe ka shkaktuar të paktën 100 zjarre në disa shtete.
Më shumë se 400,000 familje janë pa energji elektrike në shtetet e mesme dhe jugore, sipas faqes së internetit të monitorimit PowerOutage.us. /Telegrafi/