(VIDEO) Sveçla në “Intervistë në Shenja”: Serbia sponsorizon terrorizmin!
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ishte i ftuari i radhës në emisionin “Intervistë në Shenja”. Pas gati një muaj kur edhe ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, Sveçla thotë se situata në Mitrovicën e Veriut pas ngjarjeve është më e qetë por ende e tensionuar. Ai ka thënë se ata po punojnë intensivisht për të zbuluar se çfarë realisht ka ndodhur më 24 shtator, për t’i zbuluar rrethanat dhe aktorët dhe të sillet drejtësia.
XHELAL SVEÇLA, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME TË KOSOVËS
“Në këto katër komuna në veri gjendja që nga pasluftës nuk ka qenë e mirë. Mund të themi se prezenca e policisë në vitet e fundit është rritur dhe është e mjaftueshme. Edhe rendi dhe ligji edhe sovraniteti janë shtrirë në një masë shumë më të madhe se përpara. Kjo patjetër që ka shkaktuar reaksion nga grupe kriminale, grupet terroriste të cilat po mbështeten nga Serbia në shumë forma, por ne suksesshëm po ja dalim që të neutralizojmë veprimet e tyre kriminale, ndikimin negativ të Serbisë në këtë zonë”.
E për të gjithë këtë situata, Sveçla thotë se janë pikërisht Serbia dhe Aleksandër Vuçiq fajtor, madje siç thotë ai, Serbia tani më si shtet është sponzorizuese e terrorizmit. Ministri tha se Serbia, Milan Radojçiqin, jo vetëm që ka mbështetur financiarisht por edhe politikisht.
XHELAL SVEÇLA, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME TË KOSOVËS
“Vuçiq nuk e ka mohu që e mbështet atë, ka qenë nënkryetar i subjektit më të madh serb në Kosovë dhe realisht ka qenë lideri i këtij subjekti. Por përveç kësaj ka patur ndihmë financiare, ka patur armatosje të grupit si dhe trajnim dhe pjesëmarrje të shtetit të Serbisë në këtë sulm terrorist. Armatimi që është zënë më 24 shtator, por jo vetëm edhe më herët në Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut është pothuajse i njëjti lloj i armatimit të gjitha vijnë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Ne kemi edhe dëshmi materiale se prej nga kanë dalë, kush i ka pranuara dhe ku janë gjetur”.
I pari i Policisë të Kosovës theksoi se Serbia nuk fsheh aspiratat për të pushtuar një pjesë të territorit të Kosovës, por siç thot Xhelal Sveçla, nuk do të lejojnë asnjë veprimtari kriminale e terroriste në asnjë cep të vendit. Duke komentuar rolin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, Sveçla tha se është vështirë të kuptohet dhe se shumë prej kërkesave të kryeministrit të Shqipërisë janë të papranueshme për ta. Samir Mustafa /SHENJA/