(VIDEO) Nëntori dhe identiteti shqiptar në tribunën kulturore në Preshevë

(VIDEO) Nëntori dhe identiteti shqiptar në tribunën kulturore në Preshevë

Në ambientet e Shtëpisë së Kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë, u zhvillua tribuna kulturore në kuadër të ciklit të aktiviteteve “NëntorLuginë – VeçShqip”. Aktiviteti u organizua nga Këshilli Kombëtar Shqiptar, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, si dhe të Shoqatës Kulturore “Dituria”.

Të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë një diskutim të thelluar nga panelistët e ftuar, shkrimtari i njohur Kim Mehmeti dhe sociologu Nexhmedin Ademi. Ata sollën perspektiva të ndryshme, por të ndërthurura, mbi simbolikën e muajit të Nëntorit në historinë shqiptare, duke ndalur vëmendjen tek rëndësia e kultivimit të kujtesës historike dhe vetëdijes qytetare ndër shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Gjatë tribunës, u theksua nevoja për ruajtjen dhe përcjelljen e identitetit kombëtar te brezat e rinj, si dhe roli i kulturës, gjuhës dhe traditës në forcimin e kohezionit shoqëror në këtë trevë. Panelistët nënvizuan se afirmimi i vlerave shqiptare në Luginë mbetet një proces i qëndrueshëm dhe i domosdoshëm, sidomos në një kohë kur dinamika shoqërore kërkon angazhim dhe vëmendje të vazhdueshme.

Tribuna u përmbyll me mesazhin se Nëntori, si muaj i përvjetorëve historikë dhe simboleve kombëtare, është një rast i rëndësishëm reflektimi dhe motivimi për komunitetin shqiptar të Luginës së Preshevës, për të vazhduar me përkushtim në ruajtjen dhe promovimin e kulturës dhe identitetit të tyre. /SHENJA/

 

MARKETING