(VIDEO) Liderët shtetërorë kërkojnë drejtësi për Masakrën e Reçakut

(VIDEO) Liderët shtetërorë kërkojnë drejtësi për Masakrën e Reçakut

27 vjet më parë, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat serbe vranë dhe masakruan civilë të paarmatosur – gra, pleq dhe fëmijë – duke kryer një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë. Masakra e Reçakut tronditi opinionin botëror dhe u bë pikë kthese për ndërgjegjësimin e diplomacisë ndërkombëtare mbi krimet që po kryheshin në Kosovë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së, ambasadori William Walker, e cilësoi këtë akt si krim kundër njerëzimit.

Ndërkohë, drejtësia po kërkohet edhe sot. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve që bëri në në kompleksin memorial në Reçak është zotuar se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për krimet që Serbia kreu ndaj popullit shqiptar.

Albin Kurti, Kryeministër në detyrë

Jemi këtu bashkë, si krerë të institucioneve, me kryetarë të komunave dhe kolegë nga qeveria e parlamenti, por edhe zyrtarë të tjerë të shtetit, që të shprehim dhimbjen tonë për këtë plagë të hapur, së cilës ende i mungon drejtësia, por njëkohësisht edhe përkushtimin tonë që gjithmonë do të jemi të angazhuar për t’i sjellë kriminelët para gjyqit dhe për t’i ndëshkuar ata për mizoritë e para 27 vjetëve”.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani, ka theksuar se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmia e gjallë se Serbia synonte që të zhdukte popullin shqiptar nga faqja e dheut.

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës

Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”.

Kujtojmë se, më dhjetor të 2025, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave, me propozim për gjykim në mungesë, për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e kryer më 15 janar 1999 në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes. Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se gjatë një operacioni të forcave policore dhe ushtarake serbe kanë vrarë 42 civilë shqiptarë si dhe kanë kryer edhe trajtim çnjerëzor, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik.

Pas masakrës së Reçakut, është shtruar presioni ndërkombëtar mbi Serbin, ndërsa dy muaj më vonë, NATO-ja nisi fushatën e bombardimeve ndaj forcave të ish-Jugosllavisë. /SHENJA/

MARKETING