(VIDEO) Eurostat: RMV vendi më i lirë për ushqim në Evropë

(VIDEO) Eurostat: RMV vendi më i lirë për ushqim në Evropë

Të dhënat e fundit të Eurostat-it tregojnë se në vitin 2024 Maqedonia e Veriut është renditur si vendi më i lirë për ushqim në Evropë. Shporta standarde e ushqimit kushton mesatarisht 73 euro, që është 27% më pak se mesatarja e Bashkimit Evropian, e vendosur në indeksin 100. Kjo e pozicionon vendin përpara të gjitha shteteve të BE-së, por edhe vendeve të rajonit.

Në anën tjetër të listës ndodhet Zvicra si vendi më i shtrenjtë për ushqim, me një shportë që kushton 161,1 euro, ose 61% mbi mesataren evropiane. Pas saj renditen Islanda dhe Norvegjia. Brenda Bashkimit Evropian, Rumania është vendi më i lirë për ushqim, ndërsa Luksemburgu më i shtrenjti. Evropa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor, në përgjithësi, mbeten rajonet me çmimet më të ulëta të ushqimit.

Është e rëndësishme të kihet parasysh se ky krahasim nuk e paraqet tërësisht pamjen ekonomike dhe standardin e jetesës mes vendeve. Ushqimi mund të jetë më i lirë, por fuqia blerëse e qytetarëve ndryshon ndjeshëm nga një ekonomi në tjetrën. Paga mesatare neto mujore në Maqedoninë e Veriut është rreth 740 euro, ndërsa në Zvicër rreth 5.500 euro, çka krijon dallime të mëdha në fuqinë blerëse. Në vendet me të ardhura më të ulëta, ushqimi zë një pjesë më të madhe të shpenzimeve mujore, prandaj edhe rritjet e vogla të çmimeve kanë ndikim shumë më të ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve. /SHENJA/

MARKETING