(VIDEO) Ademi: Mickoski dëshiron që ai të pyetet dhe të vendosë për shqiptarët

Mbrëmë, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, para gjithë opinionit publik në Maqedoni e zbuloi hapur thelbin e politikës së tij: “Qëllimi i këtyre zgjedhjeve është që BDI të zhduket nga skena politike”, me këtë konkluzion vjen nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integim , Arbër Ademi, për sa u përket deklaratave të kryeministrit Hristian Mickoskit. Ndërsa më tej Ademi shton se Mickoski vetëm se e konfirmoi vërtetësinë e asaj që BDI e ka thënë me muaj të tërë, që Mickoski dëshiron të jetë ai që vendos për shqiptarët dhe në emër të shqiptarëve.
Arbër Ademi, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integim
“Ideja e Mickoskit, vegël e projektit famëkeq të botës sërbe është të pengojë bashkime ndër përfaqësimin e fuqishëm të shqipëtarve, vetëm në këtë mënyrë ai dhe patronët e tij nga Veriu do të mund të vazhdojnë të poshtërojnë popullin shqipëtar, duke mbajtur në pushtet politikan shqiptar të nënshtruar e të dobët, si ata të VLEN-it që heshtin vetëm për të ruajtur kariget e tyre…. Kur Mickoski thotë ‘BDI të zhduket’, ai thotë se shqiptarët nuk kanë të drejtë të vendosin vet se kush i përfaqëson”.
Sipas Ademit, Mickoski pretendon se ka ardhur koha që dikush tjetër, më saktësisht ai të përcaktojë se cili shqiptarë është i pranueshëm, cili mundet të ulet në tryezë, e cili jo. Ai thotë se ky është një tentim për pastrim politik, që do t’i kthehet në bumerang.
Për më tepër, Ademi thotë se VLEN është projekti i tij për një skenë politike shqiptare të kontrolluar, dhe se qytetarët këtë e shohin, e ndjejnë dhe e dinë, prandaj, siç tha ai, këto zgjedhje nuk janë vetëm për komunat por se këto zgjedhje janë për të ardhmen, për të vendosur nëse do të kemi një përfaqësim politik shqipëtar dinjitoz e të fuqishëm apo do të lejojnë të tjerët të na diktojnë jetën politike.
Anida Murati /SHENJA/