(VIDEO) 7 muaj burg për shoferin që goditi Arbër Shaqirin, bashkëshortja kërkon drejtësi
Tre vjet më parë, një ditë e zakonshme u shndërrua në tragjedi. Arbër Shaqiri, një bashkëshort, një baba, po lëvizte me biçikletën e tij, u godit nga një veturë dhe humbi jetën tragjikisht, duke lënë pas një bashkëshorte dhe dy fëmijë të vegjël, të cilët ende nuk kanë mësuar si ta kuptojnë mungesën e tij, e lëre më ta pranojnë. Pas tre viteve, gjykata vendosi vetëm 7 muaj burg për shoferin që i mori jetën, ndërsa dhimbja u kthye në tronditje, e për familjarët është edhe një goditje e dytë për ta.
Ndërkaq, zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli-Shaqiri, e cila është edhe bashkëshorjta e të ndjerit, në cilësinë e qytetarës, me një zë që dridhej nga dhimbja, nga lotët që nuk mundej t’i mbajë dotë, kërkoi drejtësi për bashkëshortin e ndjerë. Ajo theksoi se po i mohohet e drejta e ankesës, pasi gjykata paraprakisht shqiptoi dënim me burg prej 7 muajsh për personin që dyshohet që shkaktoi aksidentin.
KALTRINA ZEKOLLI-SHAQIRI
“Dhe në momentin më të rëndë, kur vendimi u shpall, dhe dhimbja më pushtoi sërish, gjykatësja Dragana Isakovska më ngriti zërin. Ndriti zërin ndaj një gruaje që kishte humbur gjithçka, vetëm pse reagova njerëzisht. Atë çast nuk fola si profesioniste, por si nënë dhe si bashkëshorte e thyer. Dola me një fjali që më doli nga shpirti. Uroj të mos e përjetoni kurrë një dhimbje të tillë . Sot jam para jush me duar të lidhura, ligji nuk më jep të drejtë ankese, por Prokuroria e ka dhe sot i drejtohem asaj publikisht. Kërkoj apel të vendimit, kërkoj vendim të drejtë”.
Kujtojmë se i ndjeri Arbër Shaqiri, ishte çiklist i njohur nga Shkupi, ndërsa humbi jetën tragjikisht më 17 nëntor 2022 në një aksident rrugor. Sipas raportimeve, një makinë e tipit “Mazda” me targa të Shkupit, e drejtuar nga një person 63-vjeçar, atë kohë kishte goditur dy çiklistë në unazën e Shkupit afër Radishanit, në drejtim nga Tetova, ku Shaqiri ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa tjetri u dërgua me lëndime në urgjencë. Samir Mustafa /SHENJA/

