Vendim i pazakontë i Trump! I pari president që pas trazirave të ’92 që urdhëron federalizimin e Gardës Kombëtare

Vendimi i Presidentit amerikan, Donald Trump, për ta vendosur Gardën Kombëtare nën kontroll federal, përmes Titullit 10 të Kodit të SHBA-ve, konsiderohet i pazakontë, pasi ajo zakonisht funksionon nën drejtimin e autoriteteve shtetërore.
Ky precedent është përdorur më parë në raste të rralla, si gjatë trazirave racore në vitet ’60, vrasjes së Martin Luther King Jr., apo trazirave në Los Anxhelos në vitin 1992.
MARKETING
Sipas CNN, ky është rasti i parë që një president federalizon Gardën Kombëtare që prej trazirave të vitit 1992, kur shpërthyen protesta të dhunshme pas lirimit të katër policëve të akuzuar për rrahjen e Rodney King, një afro-amerikan i paarmatosur.
Garda Kombëtare është një forcë ushtarake e veçantë e Shteteve të Bashkuara që ekziston prej shumë kohësh — madje që përpara krijimit zyrtar të vetë SHBA-ve. Ajo ka origjinën në kolonitë britanike në Amerikën e Veriut, përpara se këto të shpallnin pavarësinë në vitin 1776. Nga radhët e Gardës Kombëtare kanë dalë 18 nga 44 presidentët amerikanë, përfshirë George W. Bush-in, si i fundit.
Vetëm në raste të rralla, presidenti amerikan merr kontrollin e drejtpërdrejtë të Gardës Kombëtare, një proces që quhet “federalizim”. Kjo ndodhi edhe në rastin aktual: presidenti Donald Trump ka urdhëruar federalizimin e Gardës Kombëtare për të ndërhyrë dhe qetësuar protestat kundër bastisjeve të emigracionit në Los Angeles.