Vendet e ftohta nordike kaplohen nga një valë e pazakontë e të nxehtit

Vendet nordike, që zakonisht janë të ftohta, po përjetojnë një valë të nxehti shumë të pazakontë këtë verë. Temperaturat e larta, të nxitura nga ndotja e karbonit në atmosferë, kanë sjellë të nxehtë të madh në pjesën veriore të Evropës.
Në rrethin Arktik të Norvegjisë, një stacion moti ka regjistruar temperatura mbi 30°C për 13 ditë me radhë gjatë muajit korrik. Në Finlandë, vala e të nxehtit ka zgjatur tre javë me temperatura mbi 30°C – kjo është periudha më e gjatë që nga viti 1961 dhe 50% më e gjatë se rekordi i mëparshëm, raporton The Guardian.
“Vala e të nxehtit është vërtet e jashtëzakonshme, me temperatura që arrijnë 32-33°C”, tha Mika Rantanen, shkencëtar i klimës në Institutin Meteorologjik Finlandez. Edhe zonat arktike kanë parë mbi 25°C për tri javë, dhe mund të thyejnë rekordet e gushtit.
Instituti Meteorologjik i Norvegjisë bëri të ditur se temperaturat mbi 30°C janë regjistruar në 12 ditë të ndryshme në tre qarqet më veriore të Norvegjisë. Ani pse pati pak freskim javën e kaluar, pritet që temperaturat e larta të kthehen sërish në fundjavë
Në Suedi, vala e të nxehtit është ndjerë gjithashtu. Në qytetin Haparanda, temperaturat mbi 25°C kanë zgjatur për 14 ditë rresht, ndërsa në Jokkmokk, për 15 ditë. Temperatura të tilla nuk ka pasur për më shumë se 100 vjet.
Këto vende, si Norvegjia, Suedia dhe Finlanda, zakonisht janë të përgatitura për të ftohtin, jo për të nxehtin. Studiuesit thonë se ato do të përjetojnë rritjen më të madhe të ditëve të nxehta me kalimin e kohës dhe se infrastruktura e tyre nuk është ndërtuar për t’u përballur me temperatura kaq të larta.