Vendet e BRICS njëzëri: Denoncojmë shantazhin e tarifave të SHBA-së, jemi viktima të praktikave tregtare të pajustifikuara

Përballë luftës tregtare të nisur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, udhëheqësit e vendeve të BRICS denoncuan sot proteksionizmin, “shantazhin e tarifave” dhe “veprimet unilaterale”, në videokonferencën e thirrur nga presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.
“Ne duhet ta mbrojmë sistemin tregtar shumëpalësh, me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelb, dhe t’i rezistojmë të gjitha formave të proteksionizmit”, tha Presidenti kinez Xi Jinping.
Kina është padyshim vendi më i fuqishëm ekonomikisht në këtë bllok prej 11 vendesh që përfaqësojnë pothuajse gjysmën e popullsisë së botës dhe 40% të PBB-së globale. Ajo ka filluar negociatat tregtare me Shtetet e Bashkuara pasi të dy vendet u angazhuan në një luftë tregtare, duke iu përgjigjur dhe duke u hakmarrë me tarifa ndaj njëri-tjetrit.
“Vendet tona kanë rënë viktimë e praktikave tregtare të pajustifikuara dhe të paligjshme”, denoncoi Lula. “Shantazhi tarifor po bëhet një mjet për pushtimin e tregjeve dhe ndërhyrjen në punët e brendshme” të një vendi, shtoi ai.
Që nga 6 gushti, Trump ka vendosur tarifa ndëshkuese shtesë prej 50% ndaj Brazilit. Argumenti i tij kryesor nuk ishte tregtar, por politik. Ai pretendon se po zhvillohet një “gjueti shtrigash” kundër ish-presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, i cili është në gjyq për tentativë grushti shteti dhe vendimi pritet të shpallet këtë javë.
Trump ka vendosur gjithashtu tarifa prej 50% për shumë produkte nga India, një aleat i hershëm i SHBA-së. Presidenti amerikan akuzon Nju Delhin për financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë duke blerë naftë ruse.
“Bota ka nevojë për qasje konstruktive dhe bashkëpunuese”, tha Ministri i Jashtëm Indian Subrahmanyan Jaishankar, i cili përfaqësoi Kryeministrin Narendra Modi në samit. “Ngritja e barrierave dhe ndërlikimi i tregtisë nuk do të ndihmojë. As lidhja e masave tregtare me çështje jo-tregtare”, theksoi ai.
Në samitin e tij vjetor korrikun e kaluar në Rio de Janeiro, grupi BRICS shprehu “shqetësime serioze” në lidhje me “rritjen e masave të njëanshme tarifore dhe jo-tarifore” që po dëmtojnë tregtinë. Shtëpia e Bardhë u përgjigj duke kërcënuar të vendosë tarifa shtesë prej 10% për çdo vend që përputhet me politikat anti-amerikane të BRICS dhe i paralajmëroi anëtarët e grupit të braktisin çdo ide për krijimin e një monedhe alternative ndaj dollarit për transaksionet e tyre tregtare.