Vëllai i Epsteinit pretendon se Jeffrey Epstein kishte informacione komprometuese për presidentin Trump
Mark Epstein, vëllai i të ndjerit Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale, deklaroi të martën se Epstein kishte të dhëna komprometuese për presidentin amerikan Donald Trump, transmeton Anadolu.
Mark Epstein foli për transmetuesin amerikan “NewsNation” rreth materialeve të lidhura me çështjen e të vëllait të tij, duke pretenduar se Jeffrey Epstein kurrë nuk ia kishte zbuluar drejtpërdrejt, por që është i sigurt se kishte informacion komprometues për Trumpin.
“Ai nuk më tha se çfarë dinte, por Jeffrey pa dyshim kishte të dhëna komprometuese për Trumpin”, tha ai.
Mark Epstein gjithashtu deklaroi se pohimet publike të Trumpin për këtë çështje nuk janë të vërteta. “Mund ta shikoni në emaile. Trump mund të mohojë sa të dojë, por është mjaft e qartë që gjithçka që thotë Trump është gënjeshtër”, shtoi ai.
Pas arrestimit të Epsteinit në vitin 2019 për akuza federale për trafik seksual, Trump u tha gazetarëve: “Kam pasur mosmarrëveshje me të shumë kohë më parë. Nuk kam folur me të për 15 vjet. Nuk isha adhurues i tij; këtë mund ta them”.
– Pretendime për fshirjen e emrave nga radhët e Republikanëve
Mark Epstein pretendon gjithashtu se dokumentet e çështjes që u publikuan ishin “pastruar”, duke thënë se një burim shumë i besueshëm i kishte treguar se emrat e disa figurave nga radhët e Republikanëve të përmendura në emaile të brendshme ishin hequr para publikimit.
Ai gjithashtu pretendon se drejtori i FBI-së, Kash Patel ka luajtur rol në fshehjen e vdekjes së Jeffrey Epsteinit në burg, duke thënë se Patel ishte i përfshirë në përpjekjet për të fshehur atë që ndodhi në institucionin federal ku Epstein vdiq ndërsa priste gjykimin për akuzat e trafikimit seksual.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në burg në New York në vitin 2019 ndërsa priste gjykimin.

