Vdes mjeku Hamdi Najjar nga Gaza, ditë më parë iu vranë nëntë fëmijë nga sulmi izraelit

Një mjek palestinez, fëmijët e të cilit u vranë nga një sulm ajror izraelit në Gaza më 23 maj, ka vdekur nga plagët që i kishte pësuar në sulmin e njëjtë, thanë zyrtarët shëndetësorë.
MARKETING
Dr. Hamdi al-Najjar porsa po kthehej, pasi e kishte lënë në spitalin “Nasser” bashkëshorten e tij, Dr. Alaa al-Najjar, ku punonte çifti, kur shtëpia e tyre në Khan Younis u godit. Nëntë fëmijë të tyre u vranë, ndërsa një tjetër pësoi lëndime të rënda, raporton televizioni BBC.
Hamdi ishte trajtuar në spital për shkak të lëndimeve në tru dhe lëndimeve të tjera të brendshme, por vdiq të shtunën. Gruaja dhe djali 11-vjeçar, Adam, i cili ndodhet ende në spital, janë të mbijetuarit e vetëm të familjes.
Atë kohë, ushtria izraelite kishte thënë se ishte duke e analizuar incidentin. Në një deklaratë, ajo tha se “një aeroplan goditi disa të dyshuar të identifikuar nga forcat izraelite se po operonin në një ndërtesë afër trupave në zonën e Khan Younis-it, zonë e rrezikshme luftarake që ishte evakuuar nga civilët paraprakisht për mbrojtjen e tyre. Pretendimi për lëndim të individëve të papërfshirë është duke u analizuar”.
Dr. Milena Angelova-Chee, mjeke bullgare që punon në spitalin “Nasser”, i tha BBC-së javën e kaluar se mjeku nga Gaza kishte pësuar lëndime të konsiderueshme në tru, mushkëri, krahun e djathtë dhe në veshkë gjatë sulmit.
Graeme Groom, kirurg britanik që po punon në këtë spital dhe i cili e bëri operacion djalin e çiftit, Adamin, i tha BBC-së se ishte “mizore në mënyrë të padurueshme” që nëna e fëmijës, Alaa, e cila kaloi vite duke u kujdesuar për fëmijë si pediatre, i humbi gati të gjithë fëmijët e saj nga një sulm i vetëm.
Qeveria e Italisë të enjten bëri ofertë që ta trajtonte fëmijën e mbijetuar, pas një apeli nga xhaxhai i tij, Dr. Ali al-Najjar, i cili gazetës italiane “La Repubblica” i tha se spitali “Nasser” nuk i ka pajisjet e duhura për ta trajtuar djaloshin./Nacionale