Vdekja e ish-ministrit rus pak orë pasi u shkarkua nga Putin, Kremlini: Jemi të tronditur, hetimet për ngjarjen po vijojnë

Kremlini tha se ishte “i tronditur” nga vdekja e papritur e ish- ministrit rus të Transportit, Roman Starovoit, lajmi për të cilin doli vetëm disa orë pasi ai u shkarkua nga Presidenti Vladimir Putin.
Starovoit u gjet i vdekur në makinën e tij jashtë Moskës me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit dhe dyshimi fillestar është se ai kreu vetëvrasje, thanë dje hetuesit shtetërorë. I pyetur për vdekjen e Starovoit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Presidenti Putin ishte informuar për incidentin dhe e përshkroi atë si “tragjik dhe të trishtueshëm ”.
Peskov nuk pranoi të jepte ndonjë hamendësim mbi shkakun e vdekjes së ish-ministrit, duke përmendur hetimin që është në vazhdim.
Nuk ka si të mos i shokojë njerëzit normalë. Kuptohet, na tronditi edhe ne. Një hetim është duke u zhvilluar. Dhe është ky hetim që do t’u japë përgjigje të gjitha pyetjeve”, tha Peskov.
Dekreti presidencial që shkarkon Starovoit, i publikuar dje, nuk dha asnjë arsye për shkarkimin e ministrit pas vetëm një viti në detyrë , megjithëse analistët politikë nxituan të ngrinin mundësinë që ai të jetë shkarkuar në lidhje me një hetim për korrupsion në rajonin që ai dikur drejtonte. Përpara se të emërohej ministër i transportit në maj 2024, Starovoit ishte guvernator i rajonit Kursk për gati pesë vjet.
Reuters nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur akuzat megjithëse një burim nga industria e transportit, i cili nuk pranoi të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se pozicioni i Starovoit kishte qenë në pikëpyetje për muaj të tërë për shkak të pyetjeve në lidhje me të njëjtin skandal korrupsioni, i cili përqendrohej në fondet e destinuara për forcimin e kufirit të Rusisë me Ukrainën në rajonin Kursk.