Vazhdojnë protestat në Izrael, Netanyahut i bëhet thirrje të bëjë marrëveshje për lirim të pengjeve

Vazhdojnë protestat në Izrael, Netanyahut i bëhet thirrje të bëjë marrëveshje për lirim të pengjeve

Mijëra qytetarë izraelitë protestuan rrugëve të Tel Avivit dhe Jerusalemit duke kërkuar përfundimin e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gaza nga Hamasi.

Në protestën në sheshin “Paris” në Jerusalem, morën pjesë edhe familjarë të pengjeve, duke i bërë thirrje të drejtpërdrejta kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që ta pranojë një marrëveshje për pengjet, shkruan BBC.
Netanyahu këmbëngul se fitimi i plotë i luftës kundër Hamasit do të sjellë lirimin e tyre, por shumë kritikë, përfshirë ish-udhëheqës ushtarakë e disa gjeneralë aktual, mendojnë se fushata ushtarake ka arritur kufijtë e mundshëm, dhe vazhdimi i saj rrezikon jetën e pengjeve dhe përkeqëson krizën humanitare në Gaza.

Ndërkohë forcat izraelite kanë rrëzuar tri ndërtesa të larta në Gaza gjatë tri ditëve të fundit, me pretendimin se përdoreshin nga Hamasi si qendra komanduese.

Banorët u urdhëruan të largoheshin para sulmeve, por nuk ka më zona realisht të sigurta në Gaza. Edhe zona e al-Mawasi, e quajtur “zonë humanitare”, është goditur disa herë.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit është raportuar për 87 të vrarë në sulme ajrore, ndërsa pesë persona kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja, duke përfshirë tre fëmijë.
Danimarka dhe shtete të tjera evropiane kanë bërë thirrje për ndërprerjen e operacioneve ushtarake.

Por Izraeli i ka shpërfillur këto thirrje si dhe ka kundërshtuar njohjen e shtetësisë palestineze, duke paralajmëruar pasoja të rënda diplomatike.

MARKETING