Vazhdojnë protestat në Iran, numri i të vdekurve rritet në 645

Vazhdojnë protestat në Iran, numri i të vdekurve rritet në 645

Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA tha të hënën se numri i të vdekurve nga protestat në Iran është rritur në 646, transmeton Anadolu.

Një total prej 10.721 personash janë arrestuar gjatë 16 ditëve të protestave mbarëkombëtare në vend, sipas të dhënave të përpiluara nga HRANA. Në një raport, organizata theksoi se Irani ka qenë nën një ndërprerje të internetit për më shumë se 100 orë.

Irani është tronditur nga vala e protestave që nga muaji i kaluar, duke filluar më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më vonë u përhapën në disa qytete të tjera.

Zyrtarët iranianë akuzuan SHBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e atyre që i përshkruajnë si “trazira të armatosura”, të cilët kanë kryer disa sulme në vende publike në të gjithë vendin.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha të dielën se administrata e tij po monitoron nga afër situatën në Iran dhe po shqyrton “opsione shumë të forta” ndërsa numri i raportuar i viktimave në protestat vazhdon të rritet.

“Do të marrim një vendim”, tha Trump duke shtuar se ka marrë raporte çdo orë mbi Iranin, pa dhënë informacion se kur, ku apo si do të veprojë SHBA-ja.

MARKETING