Vatikani: Zgjidhja me dy shtete, e vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes së drejtë dhe afatgjatë

Vatikani beson se zgjidhja me dy shtete është e vetmja rrugë “e zbatueshme” dhe “e drejtë” për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme mes Izraelit dhe Palestinës, raportoi të enjten Vatican News.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Kombet e Bashkuara, Kryepeshkopi Gabriele Caccia, me rastin e një konference të nivelit të lartë të OKB-së për Palestinën, deklaroi të mërkurën se Vatikani beson fort se një zgjidhje me dy shtete, “e bazuar në kufij të sigurt dhe të njohur ndërkombëtarisht, është e vetmja rrugë e zbatueshme dhe e drejtë për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.”
Kryepeshkopi Caccia theksoi “angazhimin” e Vatikanit për t’i mbështetur të drejtat e palestinezëve dhe “aspiratat e tyre legjitime” për të jetuar në siguri dhe dinjitet “brenda një shteti të pavarur dhe sovran.”
Ai shtoi gjithashtu se Jerusalemi ka nevojë për një status që “i tejkalon ndarjet politike dhe ruan identitetin unik të qytetit.”
Duke shprehur shqetësimin për krizën humanitare gjithnjë e më të rënduar në Rripin e Gazës, ai bëri thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjitha pengjeve izraelite, kthimin e trupave të të vdekurve, mbrojtjen e të gjithë civilëve palestinezë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare, si dhe akses të pakufizuar për ndihmën humanitare.”
Ushtria izraelite, duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ka ndërmarrë një ofensivë të egër mbi Gazë që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 60.000 palestinezë. Bombardimet e pandërprera kanë shkatërruar enklavën dhe kanë shkaktuar mungesa të mëdha ushqimi.
Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli po ashtu përballet me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në këtë enklavë.