Vatikani hap hetimin e parë për abuzim seksual ndaj një peshkopi spanjoll

Vatikani hap hetimin e parë për abuzim seksual ndaj një peshkopi spanjoll

Vatikani ka hapur një hetim ndaj Rafael Zornoza Boy, peshkop i Kadizit dhe Ceutas, për akuza se ai ka abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur me një të mitur gjatë viteve 1990, raportoi sot gazeta spanjolle “El Pais”, transmeton Anadolu.

Rasti shënon herën e parë që një peshkop në detyrë – një nga figurat më të larta të Kishës Katolike, përgjegjës për drejtimin e një rajoni të caktuar – hetohet hapur në Spanjë për abuzim seksual ndaj fëmijëve.

Në një deklaratë dërguar mediave spanjolle, peshkopi i ka quajtur akuzat “shumë serioze dhe gjithashtu të rreme”, duke thënë se do të pezullojë përkohësisht detyrat e tij publike për të “qartësuar ngjarjet” dhe për t’u përqendruar në trajtimet kundër kancerit që po i zhvillon aktualisht.

Ankesa ndaj peshkopit u paraqit këtë verë nga një burrë që thotë se Zornoza, tani 76 vjeç, e ka abuzuar që në moshën 14 deri në 21 vjeç, në Getafe, afër Madridit.

Në një letër të siguruar nga gazeta, viktima e raportuar përshkruan vite me manipulime seksuale dhe emocionale, duke pohuar se Zornoza hynte në dhomën e tij natën për ta prekur dhe puthur.

Ai ka thënë se abuzimi vazhdoi edhe kur iu bashkua seminarit si i rritur, ku Zornoza gjoja e detyronte t’i nënshtrohej “terapisë së konvertimit” për të shtypur homoseksualitetin, ndërkohë që hynte në shtratin e tij “thuajse çdo natë dhe mëngjes”.

Zornoza u emërua peshkop nga Papa Benedikti XVI në vitin 2011 dhe hetimi i brendshëm i Vatikanit mund të rezultojë në masa disiplinore ose heqjen e tij nga detyra.

Dioqeza e Kadizit është kritikuar për mungesë transparence në lidhje me rastet e mëparshme të abuzimeve. “El Pais” raportoi se ajo është ndër dioqezat më pak bashkëpunuese në Spanjë për dhënien e informacionit mbi abuzimet klerikale.

Sipas bazës së të dhënave të gazetës, mbi 1.500 anëtarë të klergjisë në Spanjë janë akuzuar për abuzim seksual, me gati 3.000 viktima të njohura.

Një hetim i vitit 2023 nga Avokati i Popullit i Spanjës zbuloi se 0,6 për qind e popullsisë adulte të vendit ka pësuar abuzim seksual në fëmijëri nga klerikë, shifër që do ta sillte numrin total të viktimave në mbi 200.000.

MARKETING