Ushtria izraelite zhvillon stërvitje ushtarake në Eilat mes tensioneve të shtuara rajonale
Ushtria izraelite ka zhvilluar një stërvitje ushtarake në qytetin port Eilat në Detin e Kuq, mes tensioneve midis Iranit dhe SHBA-së dhe pranisë së zgjeruar ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
SHBA-ja dhe Izraeli e akuzojnë Iranin se synon të zhvillojë armë bërthamore, ndërsa Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, përfshirë prodhimin e energjisë elektrike.
Siç raportoi e përditshmja Maariv, stërvitja u zhvillua në zonën e qytetit Eilat dhe në Luginën Arava në jug të Izraelit dhe kishte për qëllim simulimin e skenarëve që ushtria i përshkruan si ndër mundësitë e “rastit më të keq”.
Gazeta citoi një burim ushtarak anonim, sipas të cilit ushtria po stërvitet për “skenarë jashtëzakonisht të rrezikshëm” me të cilët mund të përballet.
Sipas raportit, skenarët e simuluar përfshijnë sulme me raketa që synojnë qytetin Eilat dhe rrethinat e tij, goditje ndaj zonave turistike dhe tentativa infiltrimi përtej kufirit jordanez ose nga Deti i Kuq.
Stërvitja përfshiu gjithashtu përgatitje për mundësinë e sulmeve detare nga grupe të armatosura që mund të vijnë nga Jemeni drejt Gjirit të Eilatit ose mbërritje nga toka për të kryer sulme në zonë.
Ushtria nuk dha detaje mbi kohëzgjatjen e stërvitjes, ndërsa gazeta raportoi mbi objektivat dhe skenarët duke iu referuar një burimi ushtarak anonim.

