Ushtria izraelite vr’et një palestinez para gruas dhe tre fëmijëve të tij në Jenin
Ushtria izraelite mbrëmë vrau një palestinez para syve të gruas dhe tre fëmijëve të tij teksa ngiste një makinë në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar, në mes të inkursionit të vazhdueshëm izraelit, raporton Anadolu.
Një video e filmuar nga familja, e cila u bë virale në rrjetet sociale, regjistroi momentin e fundit të Ahmed Shayeb, kur ai u qëllua gjatë vozitjes.
Duke folur për Anadolu, Bashir Matahen, drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Mediat në Komunën e Jeninit, tha se Ahmed Shayeb ishte me familjen e tij, gruan dhe tre fëmijët, duke u kthyer në shtëpi, kur u qëllua nga një snajper i ushtrisë izraelite.
Ndërkohë, Matahen vuri në dukje se mbi 600 palestinezë u larguan nga kampi i refugjatëve Jenin në mes të inkursionit të madh izraelit në Jenin.
Ai tha gjithashtu se të zhvendosurit janë në kushte të vështira humanitare, pa strehimore të duhura, duke shtuar se komuna hapi një nga objektet e saj për t’i pritur.
Zyrtari i bashkisë vuri në dukje se ushtria izraelite po vendos një rrethim të plotë në Jenin dhe kampin e tij, duke shkatërruar rrugët kryesore.
Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, 10 palestinezë u vranë dhe 40 të tjerë u plagosën dje në sulmin ushtarak izraelit në Jenin.
Në një deklaratë të ushtrisë izraelite thuhet se operacioni në Jenin, i koduar “Muri i Hekurt”, pritet të zgjasë disa ditë.
Tensioni ka qenë i lartë në Bregun Perëndimor për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku të paktën 47 mijë persona janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 110.700 të tjerë janë plagosur që nga 7 tetori 2023.
Rreth 868 palestinezë janë vrarë dhe mbi 6.700 janë plagosur nga ushtria izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Të dielën hyri në fuqi një marrëveshje e armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve, duke pezulluar luftën izraelite në Gaza.
Në korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin prej dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.