Ushtria izraelite vret një palestinez në Jenin në mes të ofensivës së vazhdueshme në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite vret një palestinez në Jenin në mes të ofensivës së vazhdueshme në Bregun Perëndimor

Ushtria izraelite ka vrarë një palestinez me moshë të re në Jenin në mes të ofensivës së vazhdueshme në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar që po zhvillohet që nga 21 janari, raporton Anadolu.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se ushtria izraelite u dorëzoi ekipeve të saj mjekësore “një martir rreth të njëzetat në lagjen lindore të Jeninit”.

Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se një numër i madh forcash izraelite, të shoqëruar nga buldozerë, hynë në lagjen lindore në Jenin herët në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Përleshje të armatosura midis forcave izraelite dhe luftëtarëve palestinezë, së bashku me zhurmat e shpërthimeve, u raportuan në zonë.

Dëshmitarët okularë shtuan se buldozerët izraelitë filluan të shkatërrojnë infrastrukturën në lagje, duke përfshirë rrafshimin e rrugëve.

Ushtria izraelite ka kryer operacione në Bregun Perëndimor verior që nga 21 janari, duke vrarë të paktën 65 persona dhe duke zhvendosur mijëra të tjerë.

Autoritetet palestineze kanë paralajmëruar se ofensiva e vazhdueshme ushtarake është pjesë e një plani më të gjerë të qeverisë së Benjamin Netanyahut për të aneksuar Bregun Perëndimor dhe për të shpallur sovranitetin mbi të, gjë që mund të shënojë zyrtarisht fundin e zgjidhjes me dy shtete.

Këto bastisje ishin të fundit në përshkallëzimin ushtarak në Bregun Perëndimor, ku të paktën 928 palestinezë janë vrarë dhe rreth 7 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet e ushtrisë izraelite dhe kolonëve të paligjshëm që nga fillimi i sulmeve kundër Rripit të Gazës më 7 tetor të vitit 2023.

Në korrik të vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se pushtimi afatgjatë i territoreve palestineze nga Izraeli është “i paligjshëm”, duke kërkuar evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

MARKETING