Ushtria izraelite vret një palestinez në Bregun Perëndimor

Një palestinez u vra dhe 4 të tjerë u plagosën sot herët nga të shtënat e ushtrisë izraelite gjatë një bastisjeje në kampin e refugjatëve Tulkarm në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
MARKETING
Ushtria izraelite bastisi kampin Tulkarm, gjë që çoi në konfrontime dhe përleshje të armatosura, ndërsa të rinjtë palestinezë u ngritën për t’i rezistuar ndërhyrjes, thanë dëshmitarët okularë për Anadolu.
Ushtria izraelite përdori një buldozer ushtarak dhe dhjetëra automjete ushtarake dhe vendosi snajperë në çatitë e shtëpive, duke hapur zjarr të fuqishëm me municion të vërtet, gaz lotsjellës dhe granata trullosëse.
Agjencia zyrtare e lajmeve palestineze WAFA tha se 5 persona të plagosur u dërguan në spitalin lokal, përfshirë të riun 23-vjeçar, i cili ndërroi jetë shpejt për shkak të plagës së rëndë në gjoks.
Brigada Tulkarem e cila është e lidhur me Brigadat Al-Quds, krahu i armatosur ushtarak i Lëvizjes Palestineze Xhihadi Islamik, tha në një deklaratë se “iu përgjigj inkursionit izraelit në kampin Tulkarem, me përleshje të armatosura dhe mjete shpërthyese të improvizuara”.
Që nga fillimi i këtij viti, Bregu Perëndimor ka qenë dëshmitar i bastisjeve të shpeshta të ushtrisë izraelite dhe sulmeve të kolonëve në qytete dhe qyteza palestineze.