Ushtria izraelite arreston 100 palestinezë në qytetin El-Khalil të Bregut Perëndimor
Ushtria izraelite mbylli hyrjet në qytetin Beit Ummar, në veri të qytetit të El-Khalil (Hebron) në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe arrestoi rreth 100 palestinezë, transmeton Anadolu.
Sipas burimeve lokale, ushtarët izraelitë bastisën Beit Ummarin sot në mëngjes pas një tentative sulmi që u krye dje pranë vendbanimit Gush Etzion i krijuar duke uzurpuar tokat palestineze në Bregun Perëndimor.
Ushtarët izraelitë bastisën dhjetëra shtëpi dhe shkatërruan sendet e tyre, përfshirë shtëpinë e familjes së Walid Mohamed Sabarna, të cilin e vranë dje pasi pretenduan se ai kishte tentuar sulm pranë vendbanimit Gush Etzion.
Ushtria izraelite e shndërroi stadiumin e qytetit në një qendër paraburgimi dhe marrjeje në pyetje dhe arrestoi rreth 100 palestinezë në qytet. Në videot e shpërndara në mediat sociale vërehen ushtarët izraelitë duke çuar palestinezë me duar të lidhura në “zonën e paraburgimit”.
Ushtria izraelite bllokoi të gjitha hyrjet në qytet me barrikada prej dheu dhe barriera hekuri, duke ndaluar hyrjen dhe daljen.
Në një deklaratë me shkrim të lëshuar dje nga agjencia izraelite e ndihmës emergjente “Ylli i Kuq i Davidit” thuhet se një tentativë sulmi me thikë dhe shtypje me automjet ka ndodhur në një kryqëzim pranë vendbanimit hebre Gush Etzion.
Në deklaratë thuhej se një person vdiq dhe tre të tjerë u plagosën pasi u goditën me thikë nga një burrë rreth të 30-ave. Televizioni shtetëror izraelit KAN raportoi se dy autorët e dyshuar të sulmit u vranë nga ushtarët izraelitë kur hapën zjarr.
Ministria palestineze e Shëndetësisë raportoi se Imran al-Atrash nga qyteti i Hebronit dhe Walid Mohammed Sabarna nga qyteti i Beit Ummarit u qëlluan për vdekje nga forcat izraelite pranë Betlehemit në jug të Bregut Perëndimor.

