UNRWA: Gjysmë milioni palestinezë të bllokuar në Qytetin e Gazës në vetëm 8 kilometra katrorë

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) ka bërë të ditur se rreth 500 mijë palestinezë mbeten të bllokuar në Qytetin Gaza brenda një sipërfaqeje prej vetëm 8 kilometrash katrorë, mes sulmeve të intensifikuara izraelite që synojnë pushtimin e qytetit dhe zhvendosjen e banorëve, transmeton Anadolu.
“Në Qytetin Gaza, rreth gjysmë milioni palestinezë mbeten të bllokuar në një sipërfaqe prej më pak se tetë kilometrash katrorë,” shkroi në rrjetet sociale zëdhënësi i UNRWA-së, Adnan Abu Hasna.
“Rreth 70 mijë njerëz do të ngjeshen në çdo kilometër katror. Nuk ka vend për asnjë tendë të vetme. Dhjetëra mijëra familje mbeten pa strehë në rrugë”, theksoi ai.
Qyteti Gaza mbulon 74.6 kilometra katrorë. Izraeli aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të saj dhe po zgjeron gradualisht kontrollin sipas një plani të shpallur nga qeveria në gusht për të pushtuar të gjithë qytetin.
Zëdhënësi i UNRWA-së paralajmëroi se uria ka ndjekur familjet e zhvendosura nga Qyteti Gaza në zonat qendrore dhe jugore. Ai theksoi nevojën urgjente për një armëpushim të menjëhershëm dhe shpërndarje të pakufizuar të ndihmës humanitare në Gaza.
Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur plotësisht kalimet e Gazës, duke bllokuar konvojet e ushqimit dhe ndihmës dhe duke thelluar kushtet e urisë në enklavë. Vetëm furnizime të kufizuara lejohen herë pas here dhe shumë prej tyre plaçkiten nga grupe të armatosura që autoritetet e Gazës akuzojnë Izraelin se i mbron.
Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë në Gaza mbi 66 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme e kanë bërë enklavën të pabanueshme dhe kanë çuar në uri dhe përhapje të sëmundjeve.