UNICEF: Moti ekstrem ka zhvendosur mbi 43 milionë fëmijë gjatë periudhës 2016-2021

UNICEF: Moti ekstrem ka zhvendosur mbi 43 milionë fëmijë gjatë periudhës 2016-2021

Fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga kushtet e jashtëzakonshme të motit kanë zhvendosur 43.1 milionë fëmijë në mbarë botën në periudhën 2016-2021, transmeton Anadolu.

Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) publikoi raportin “Fëmijët e zhvendosur në një klimë në ndryshim”.

Raporti i publikuar për herë të parë, përfshinte numrin e fëmijëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve, stuhive, zjarreve në pyje dhe thatësirës të shkaktuara nga ngjarjet e jashtëzakonshme të motit në periudhën 2016-2021 dhe parashikimet për 30 vitet e ardhshme.

Sipas raportit, 43.1 milionë fëmijë janë zhvendosur në 44 vende të botës gjatë periudhës 2016-2021. Ky numër korrespondon me 20 mijë fëmijë në ditë. Më tej thuhet se 40.9 milionë nga këta fëmijë u zhvendosën për shkak të përmbytjeve dhe stuhive. Këto të dhëna mbulojnë 95 për qind të fëmijëve të prekur nga kushtet ekstreme të motit.

Kina dhe Filipinet u regjistruan si “vendet me numrin më të madh të fëmijëve të zhvendosur nga shtëpitë e tyre” për shkak të “kushteve të pafavorshme të motit” dhe “popullsisë së lartë të fëmijëve”.

Duke marrë parasysh përqindjet e popullsisë, fëmijët që jetojnë në vendet e vogla ishullore si Dominika dhe Vanuatu u renditën si më të prekurit nga stuhitë dhe fëmijët në Somali dhe Sudan u renditën si më të prekurit nga përmbytjet.

Përmbytjet e lumenjve mund të zhvendosin rreth 96 milionë fëmijë

Thatësira bëri që 1.3 milion fëmijë të shpërnguleshin brenda vendit ndërsa 810 mijë fëmijë u shpërngulën nga shtëpitë e tyre për shkak të zjarreve në pyje.

Të dhënat klimatike tregojnë se përmbytjet e lumenjve ka mundësi të zhvendosin rreth 96 milionë fëmijë në 30 vitet e ardhshme ndërsa era dhe stuhitë ka të ngjarë të zhvendosin 17.5 milionë fëmijë.

Parashikohet se numri i fëmijëve që do të zhvendosen në 30 vitet e ardhshme mund të jetë më i lartë sesa pritet për shkak të ngjarjeve ekstreme të motit që bëhen më të shpeshta dhe më të rënda.

MARKETING