UNHCR: Mbi 330 mijë persona janë zhvendosur nga luftimet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë
Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNHCR) ka bërë të ditur se përshkallëzimi i luftimeve në Lindjen e Mesme ka shkaktuar “lëvizje të konsiderueshme të popullsisë”, teksa më shumë se 330 mijë persona janë zhvendosur me forcë, kryesisht brenda vendeve të tyre, transmeton Anadolu.
UNHCR theksoi se përplasjet përgjatë kufirit mes Afganistanit dhe Pakistanit kanë detyruar mijëra familje të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Ne gjithashtu bëjmë thirrje urgjente për dialog dhe ulje të tensioneve teksa dhuna po intensifikohet”, tha agjencia.
Në Iran, një vend që prej kohësh pret 1.65 milionë persona të zhvendosur, kryesisht nga Afganistani, sipas vlerësimeve rreth 100 mijë persona u larguan nga Teherani gjatë dy ditëve të para pas sulmeve nga Izraeli dhe SHBA-ja të shtunën e kaluar.
“Megjithatë, deri tani nuk ka pasur rritje të madhe të lëvizjeve ndërkufitare nga Irani të lidhura me ngjarjet e fundit”, shtoi agjencia.
Ndërkohë, në Liban, më shumë se 84 mijë persona janë strehuar në afro 400 qendra kolektive, sipas agjencisë që citoi raportet e qeverisë. Gjithashtu, mbi 30 mijë persona, kryesisht sirianë, por edhe disa libanezë, kanë kaluar në Siri që nga përshkallëzimi i situatës me Izraelin.
“Situata në Afganistan dhe Pakistan mbetet e tensionuar për shkak të konfliktit aktiv përgjatë kufirit”, theksoi agjencia, me raportime për zhvendosje të brendshme në të dy vendet, përfshirë rreth 115 mijë persona në Afganistan dhe 3 mijë në Pakistan.
“Është e domosdoshme që të gjithë civilët që kanë nevojë të lëvizin ose të kalojnë kufijtë për të gjetur siguri të kenë kalim të sigurt”, tha agjencia.

