Ukrainasit kryejnë sulme masive në Rusi – infrastruktura ushtarake dhe energjetike në shënjestër

Rusia është goditur nga një sulm i përmasave të gjera nga ana e forcave ukrainase, të cilat kanë shënjestruar objekte kyçe të infrastrukturës energjetike dhe ushtarake në disa rajone të vendit.
Sulmet e së premtes mbrëma kanë përfshirë rafineri nafte, fabrika prodhimi për qëllime ushtarake, si dhe aeroporte të rëndësishme ushtarake.
Në rajonin e Penzës, janë goditur fabrika “Elektronpribor”, e njohur për prodhimin e pajisjeve elektronike ushtarake, si dhe një tjetër objekt industrial që besohet të jetë fabrikë radio-komunikimi.
Riazan, një tjetër qytet strategjik, u përfshi gjithashtu nga shpërthime të fuqishme. Sipas raportimeve paraprake, sulmet mund të kenë dëmtuar një tjetër rafineri, ndërsa shpërthime janë dëgjuar edhe afër aeroportit ushtarak Dyagilevo.
Pamje nga satelitët e NASA-s tregojnë gjithashtu zjarr të madh pranë aeroportit ushtarak Primorsko-Ahtarsk, në rajonin Krasnodar, duke konfirmuar përhapjen e sulmeve në disa pika kyçe të jugut të Rusisë.
Në të njëjtën kohë, dronë ukrainas janë vërejtur në hapësirat ajrore të rajoneve Voronezh, Lipetsk dhe Rostov, duke thelluar frikën për një strategji të re ofensive nga ana e Kievit, që shtrihet përtej vijave të frontit.
Zyrtarët rusë ende nuk kanë publikuar shifra zyrtare për viktima apo dëme materiale, por burime lokale raportojnë për disa të plagosur dhe dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.
Ky është një ndër sulmet më të mëdha ajrore të kryera nga Ukraina brenda territorit rus, që sinjalizon një intensifikim të luftës dhe një ndryshim në taktikën ushtarake të Kievit, e cila gjithnjë e më shumë po synon të godasë thellë në prapavijë.