Ukraina reagon ashpër ndaj Polonisë dhe BE-së për ndalimin e importit të grurit

Ministria e Jashtme e Ukrainës njofton se u ka dërguar një notë proteste përfaqësuesve polakë dhe të Bashkimit Europian në Ukrainë ditën e djeshme, duke përshkruar kufizimin e importeve të grurit ukrainas në vendet e BE-së si “kategorikisht të papranueshme”.

“Kufizime të tilla, pavarësisht nga arsyetimi për to, nuk përputhen me Marrëveshjen e Asociimit midis Ukrainës dhe BE-së dhe me parimet dhe normat e Tregut të Vetëm të BE-së”, tha ministria, duke shtuar se: “Ka baza të plota ligjore për rifillimin e menjëhershëm të eksporteve të mallrave bujqësore ukrainase në Poloni, Rumani, Hungari, Sllovaki dhe Bullgari, si dhe vazhdimin e eksporteve të papenguara drejt vendeve të tjera anëtare të BE-së.”

Komentet vijnë pasi ministri rumun i bujqësisë Petre Daea tha se Komisioni Europian do të ndalojë eksportet e grurit dhe farave vajore të Ukrainës në Rumani deri më 5 qershor.

Rumania nuk ka zbatuar një ndalim, ndërsa Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Sllovakia morën hapa të njëanshëm për të mbrojtur tregjet lokale nga një rrjedhë e produkteve bujqësore ukrainase.

Me hyrjen në portet e saj të Detit të Zi të bllokuara dhe më vonë të kufizuara nga pushtimi rus, Ukrainë, një prej eksportuesve kryesorë në botë të drithërave i është dashur të gjejë rrugë alternative të transportit përmes shteteve fqinje.

Miliona tonë drithëra dhe fara vajore, më të lira se ato të prodhuara në Bashkimin Evropian dhe të përjashtuara nga taksat doganore, përfunduan në Evropën Qendrore dhe Lindore, me fermerët vendas që ankoheshin se kërkesa dhe çmimet e produkteve vendase ishin shtrembëruar.

 

MARKETING