Ukraina godet me dron thellë në Rusi – qytetarët xhirojnë me telefon momentin e sulmit

Ukraina godet me dron thellë në Rusi – qytetarët xhirojnë me telefon momentin e sulmit

Dronët e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SSU) sot kanë sulmuar sërish një nyje logjistike në Republikën Ruse të Tatarstanit.

Objektivi i sulmit ishte një depo ku ruheshin dronë e përfunduar kamikazë Shahed, si dhe komponentë të prodhimit të huaj për ndërtimin e tyre, ka njoftuar shërbimi për marrëdhënie me publikun i SSU-së.

Objekti i goditur ndodhet në vendbanimin Kzyl-Yul, rreth 1300 kilometra larg kufirit ukrainas. Sulmi ndaj nyjës është konfirmuar edhe nga pamjet video të regjistruara nga banorët lokalë, ku shihen vatra zjarri brenda ndërtesave, raporton skynews.

Nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës kanë deklaruar se vazhdojnë me sulme thellë në territorin rus.

“SSU po vazhdon një varg operacionesh speciale të drejtuara ndaj lokacioneve armike thellë brenda territorit rus. Sulmi i përsëritur ndaj këtij objekti të industrisë mbrojtëse synon të zvogëlojë kapacitetin armik për terror me dronët Shahed kundër Ukrainës. Operacionet ndaj objekteve që furnizojnë makinën ushtarake ruse me armë do të vazhdojnë,” thuhet në njoftim.

Ky është sulmi i dytë ndaj të njëjtit objekt ushtarak brenda një kohe të shkurtër. Kujtojmë se SSU kishte sulmuar këtë impiant me dronë me rreze të gjatë veprimi edhe më 9 gusht të këtij viti.

MARKETING