“Ukraina e gatshme të garantojë se nuk do të sulmojë territorin rus me raketa me rreze të gjatë”

“Ukraina e gatshme të garantojë se nuk do të sulmojë territorin rus me raketa me rreze të gjatë”

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov deklaroi se nëse aleatët e tyre i japin Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi, ata nuk do të sulmojnë me këto armë territorin e Rusisë, transmeton Anadolu.

Në Takimin e Komisionit Ukrainë-Bashkimi Evropian (BE) të mbajtur në Kiev, Reznikov vlerësoi ndihmën e armëve nga aleatët për ushtrinë e Ukrainës.

Në fjalimin e tij në mbledhjen ku morën pjesë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, ministri Reznikov tha se Ukraina ka nevojë për raketa me rreze të gjatë veprimi.

“Shpresojmë që këtë vit do të hapim dritaren e një mundësie për të filluar kundërsulm dhe për të përfunduar këtë luftë me një fitore për Ukrainën dhe të gjithë botën e lirë”, tha Reznikov duke shtuar se ka nevojë për më shumë armë për kryerjen e një kundërsulmi ndaj ushtrisë ruse.

Ai akuzoi ushtrinë ruse për sulmet ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë. “Ardhja në kohën më të shpejtë e sistemeve të mbrojtjes ajrore që do të dërgohen nga aleatët për vendin është shumë e rëndësishme në aspektin për parandalimin e sulmeve”, tha ministri ukrainas.

Reznikov theksoi se dëshirojnë që dërgesat për sistemet Patriot, SAMP-T si dhe IRIS-T dhe NASAMS të përfundojnë në kohën më të shpejtë të mundshme. Sipas tij, Ukraina është e gatshme të garantojë se nuk do të sulmojë territorin rus me raketa me rreze të gjatë veprimi.

“Nëse arrijmë mundësinë për të goditur nga një distancë 300 kilometra, ushtria ruse nuk do të mund të mbrohet dhe do të detyrohet të tërhiqet. Ukraina është e gatshme të japë çdo lloj garancie që armët tuaja nuk do të përdoren në sulmet në territorin rus. Në rajonin e pushtuar përkohësisht ka mjaftueshëm objektiva. Jemi të gatshëm që përzgjedhjen e objektivit ta koordinojmë me partnerët tanë”, potencoi Reznikov.

MARKETING