“Ua kemi borxh palestinezëve, por edhe izraelitëve”, Macron: Njohja e shtetit të Palestinës nuk është tabu për Francën
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se njohja e një shteti palestinez nuk është “tabu” për Francën, teksa po rriten pakënaqësitë ndërkombëtare me veprimet e Izraelit në territoret palestineze.
“Njohja e një shteti palestinez nuk është tabu për Francës”, tha Macron, pasi u takua në Paris me mbretin Abdullah të Jordanisë.
“Ua kemi për borxh palestinezëve, aspiratat e të cilëve për një kohë të gjatë janë shkelur. Ua kemi borxh edhe izraelitëve, të cilët kanë jetuar masakrën më të keqe antisemitike të kohës sonë. Ia kemi borxh rajonit që po kërkon të ngrihet ndaj atyre që promovojnë kaos dhe ndjellin hakmarrje”.
Macron nuk elaboroi se kur apo nën çfarë kushtesh Franca do të njihte një shtet palestinez. Lideri francez po ashtu bëri thirrje për armëpushim në Gazë dhe paralajmëroi se një ofensivë izraelite në Rafah, që gjendet në kufi me Egjiptin, do të çonte “në një katastrofë humanitare”.
Më herët gjatë këtij muaji, ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se shteti i tij mund të njohë zyrtarisht një shtet palestinez pas arritjes së një armëpushimi në Gazë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, kundërshton shtetësinë palestineze dhe negociatat për një zgjidhje me dy shtete janë bllokuar që nga viti 2009. Nëse ndonjë prej aleatëve kyçë të Izraelit do të njihte një shtet palestinez, diçka tillë do të mund t’i bënte presion Izraelit që të rinisë negociatat./ REL