U shënua viktima e parë nga vërshimet në Shqipëri
Moti i keq ka vijuar edhe sot më 8 janar 2026 duke shkaktuar rritje të niveleve të lumenjve kryesorë. Lajmi më i keq vjen nga Durrësi ku u shënua edhe viktima e parë. Një 54-vjeçar u gjet i pajetë në një kanal kullimi pasi e mori rrjedha e ujit. Qyteti bregdetar vijon të jetë në situatë kritike pasi reshjet nuk kanë pushuar. Atje janë evakuuar 400 banorë teksa është urdhëruar edhe evakuimi i banorëve në Sukth dhe Katund të Ri.
Problem është edhe lumi i Vjosës i cili ka arritur nivelin e kuotave maksimale. Autoritetet kanë ngritur nivelin më të lartë të alarmit në Novoselë duke lëshuar urdhër evakuimi për banorët si pasojë e situatës. Urdhër evakuimi u lëshua edhe për Ferrasin në Fier
Shumë toka bujqësore janë përmbytur, me dhjetëra banesa kanë pësuar dëmtime, ndërsa prej dy ditësh përmbytje janë regjistruar edhe në Gjirokastër, Berat, Lezhë, Shkodër, Kukës, Elbasan dhe zonat pranë lumenjve./Klan

