Twitter kërcënon me veprim ligjor ndaj aplikacionit Threads
Kompania prapa rrjetit social Twitter po shqyrton mundësinë për veprim ligjor ndaj kompanisë Meta Platformës, pas lëshimit të aplikacionit rival, Threads.
Threads, që u lëshua për përdorim publik të mërkurën, dhe në të cilin u regjistruan miliona përdorues që në orët e para, është i ngjashëm me Twitter-in – dhe nga Meta është vlerësuar si një alternativë “miqësore” ndaj Twitter-it.
Twitter, që është në pronësi të Elon Muskut, ka thënë se “konkurrenca është në rregull, por mashtrimi jo”. Por, Meta, përmes një letre, hodhi poshtë këto pretendime se ish-shefi i stafit të Twitter-it ka ndihmuar në krijimin e Threads-it.
Mbi 30 milionë persona janë regjistruar në rrjetin e ri social, ka thënë Meta.
Threads edhe nga pamja është i ngjashëm me Twitter-in, si dhe ka veçori të ngjashme me aplikacionin që është në pronësi të Muskut.
Avokati i Twitter-it, Alex Spiro, i kishte dërguar të mërkurën një letër shefit të Meta-s, Mark Zuckerberg, duke e akuzuar Meta-n për “keqpërdorim sistematik, të qëllimshëm dhe të paligjshëm të sekretareve tregtare të Twitter-it dhe pronës intelektuale të Twitter-it” për të krijuar Threads.
Spiro ka pretenduar se Meta ka punësuar dhjetëra ish-punonjës të Twitter-it të cilët “kishin vazhduar të kishin qasje në sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacioneve të tjera konfidenciale” që ndihmuan Meta-n të krijonte aplikacionn Threads.
“Twitter planifikon të zbatojë rreptësisht të drejtat intelektuale dhe kërkon nga Meta që menjëherë të ndërmarrë hapa dhe të ndalojë së përdoruri sekretet tregtare të Twitter-it dhe informacionet e tjera jashtëzakonisht konfidenciale”, u tha në letër.
Në Threads, zëdhënësi i Meta-s, Andy Stone, postoi një deklaratë ku thuhej se “askush në ekipin e inxhinierëve në Threads nuk është ish-punonjës i Twitter-it”.
Si Musk, ashtu edhe Zuckerberg, e kanë pranuar se kanë rivalitet sa i përket Threads-it, aplikacion që është i lidhur me Instagram-in, por funksionon edhe si aplikacion më vete.