Tusk: Polonia do reagojë në rast të shkeljes së hapësirës ajrore nga Rusia

Tusk: Polonia do reagojë në rast të shkeljes së hapësirës ajrore nga Rusia

Polonia do të ndërmarrë “veprime vendimtare” në rast të shkeljeve të mëtejshme të hapësirës së saj ajrore, deklaroi sot kryeministri polak, Donald Tusk.

“Nga sot e tutje, Polonia do të reagojë me shumë vendosmëri ndaj provokimeve të tilla”, u tha Tusk gazetarëve në qytetin polak Lomza, duke komentuar shkeljet e fundit të hapësirës ajrore polake.

Polonia regjistroi dy shkelje të hapësirës së saj ajrore nga dronë në fillim të kësaj jave, dy javë pasi një dron rus shpërtheu në lindje të Polonisë. Tusk tha se ka patur bisedë të gjatë me ministrin e Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz për këtë çështje dhe se ushtria do të jetë gati për atë që ai e quajti “veprime kinetike”.

Të mërkurën, hapësira ajrore polake u shkel dy herë nga dronët. Ushtria tha se kishte kontroll të plotë të situatës dhe se shkeljet ishin “pa pasoja”. Më tej u tha se ushtria e Polonisë ka mbështetje shtesë në formën e avionëve holandezë F-35, të cilët do të stacionohen në vend për katër muajt e ardhshëm.

“Këtu në lindje, nevoja për siguri, përfshirë praninë e forcave aleate, është më e madhe se në disa rajone të tjera. Siç e dini, po merremi me tensione në rritje që lidhen me provokimet. Fola gjatë me ministrin e Mbrojtjes Kombëtare dhe që nga sot e tutje, ne do të përgjigjemi me vendosmëri”, tha Tusk.

“Kushdo që shkel hapësirën ajrore polake do të duhet të përballet me reagim të menjëhershëm nga ushtria polake”, shtoi ai.

 

MARKETING