Tusk: Është lufta jonë, humbja e Ukrainës do të thoshte dështimi ynë

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka paralajmëruar të enjten se Evropa nuk është më në një periudhë të paraluftës, por po përballet me një luftë.
“Është absolutisht e qartë se ne duhet t’i ndalim të gjitha llojet e iluzioneve. Iluzioni i parë ishte dhe është që nuk ka luftë. Ky është te disa prej nesh, neve na pëlqejnë këto definicione [më të buta], si agresioni i shkallës së plotë ose incidente ose provokim. Jo, është, është një luftë – një lloj i ri i luftës, shumë kompleks, por është luftë”, deklaroi kryeministri polak, raporton gazeta “The Guardian”.
Tusku tha se Polonia ka përjetuar më shumë incidente të sigurisë ditëve të fundit, duke përmendur incidentin më të ri afër portit Szczecin vetëm para pak ditësh.
“Ne [shohim] incidente të reja në rajonin tonë, në Detin Baltik, secilën javë. Janë pothuajse përditë”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se për vendin e tij kjo luftë “nuk është abstrakte”, duke u referuar përpjekjeve të shumta për të kaluar ilegalisht kufirin polak me Bjellorusinë dhe disa sulme që kanë pasur pasoja për njerëzit.
“Është lufta jonë dhe, nëse Ukraina humb, kjo do të thotë dështimi ynë”, paralajmëroi Tusku.
Ai shtoi se Evropa është shumë më e fortë se Rusia, por përparësia psikologjike e Moskës qëndron te gatishmëria për të luftuar dhe për të sakrifikuar.
“Ne e dimë se nëse ata fitojnë kundër Ukrainës, pastaj, në të ardhmen, është fundi i vendit tim dhe i Evropës, s’kam dyshim”, përfundoi kryeministri polak.