Turqia zbulon raketën e saj të parë hipersonike në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes në Stamboll

Turqia zbulon raketën e saj të parë hipersonike në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes në Stamboll

Të martën, Turqia ka zbuluar raketën e saj të parë hipersonike, Tayfun Block-4, ndërsa prodhuesi i saj, Roketsan, prezantoi gjashtë sisteme të reja të përparuara në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes IDEF 2025 në Stamboll.

Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, raketa balistike Tayfun Block-4 është versioni hipersonik i raketës Tayfun, raketës balistike me rrezen më të gjatë veprimi të prodhuar në vend të Turqisë.

“Tayfun Block-4 arrin rreze të gjata veprimi, duke vendosur një tjetër rekord për industrinë turke të mbrojtjes. Me një peshë mbi 7 ton, ky version i ri i Tayfun, me kokën e tij shumëfunksionale, do të jetë i aftë të shkatërrojë objektiva të shumta strategjike, të tilla si sistemet e mbrojtjes ajrore, qendrat e komandës dhe kontrollit, hangarë ushtarakë dhe objekte kritike ushtarake, nga kilometra larg”, tha Roketsan në një deklaratë.

CEO i gjigantit të mbrojtjes, Murat Ikinci, tha: “Sot, kompania jonë, një markë globale në teknologjitë e raketave dhe municioneve, vazhdon të jetë pioniere në teknologjitë e reja me studimet e saj të kërkim-zhvillimit, për të qenë forca goditëse dhe parandaluese e Forcave të Armatosura Turke me sistemet e mbrojtjes që zhvillon dhe për të siguruar forcë strategjike dhe ekonomike për vendin tonë me eksportet e saj në shumë rajone të botës, nga Amerika në Evropë, nga Azia në Lindjen e Mesme”.

Ndryshe, panairi gjashtëditor i mbrojtjes IDEF, që fillon të martën, po mbahet njëkohësisht në Qendrën e Panaireve të Stambollit, Aeroportin Atatürk, Hotelin WOW dhe Marinën Atakoy.

Ngjarja, e organizuar nga Panairet KFA me mbështetjen e Presidencës së Industrive të Mbrojtjes (SSB) dhe Fondacionit të Forcave të Armatosura Turke, ka Agjencinë Anadolu (AA) si partnerin e saj global të komunikimit.

Edicioni i 17-të pret ministra, shefa të shtabeve, komandantë dhe përfaqësues të lartë nga 103 vende, me 44 vende që hapin stenda.

Aty po marrin pjesë mbi 900 firma mbrojtëse vendase dhe 400 ndërkombëtare. /

MARKETING