Turqia përsërit mbështetjen për integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e Sirisë

Turqia përsërit mbështetjen për integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e Sirisë

 Duke riafirmuar mbështetjen për integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e Sirisë, Turqia shprehu sot gatishmërinë për të kontribuuar në rivendosjen e qetësisë në këtë vend, transmeton Anadolu.

Ministri i jashtëm turk Hakan Fidan ka zhvilluar një telefonatë me homologun e tij sirian Assad al-Shaibani, duke diskutuar situatën në Sirinë jugore, njoftojnë burime diplomatike turke.

Gjatë telefonatës me Shaibanin, Fidan ka thënë se Turqia po i monitoron nga afër zhvillimet, duke riafirmuar mbështetjen e Ankarasë për integritetin territorial, unitetin dhe sovranitetin e Sirisë.

Duke nënvizuar se ndërhyrja e Izraelit në këtë situatë është e papranueshme, Fidan ka thënë se qeveria e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu duhet t’i japë fund veprimeve që kërcënojnë stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e popullit sirian.

Përleshjet që shpërthyen në Suwayda ende vazhdojnë në pjesët perëndimore dhe veriore të provincës jugore të Sirisë midis forcave fisnore beduine dhe grupeve lokale të armatosura druze.

Luftimet filluan të dielën si përleshje të kufizuara midis të dyja palëve, duke bërë që forcat e qeverisë siriane të ndërhynin. Dhjetëra ushtarë u vranë më vonë në sulme hakmarrëse nga fraksionet e armatosura druze.

Pas përshkallëzimit midis forcave të qeverisë dhe grupeve druze, u ndërmjetësua një armëpushim, por u prish shpejt.

Izraeli, nën pretekstin e mbrojtjes së komuniteteve druze, intensifikoi sulmet e tij në gjithë Sirinë, duke kryer sulme ajrore në katër provinca, duke përfshirë sulme në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe pallatin presidencial në Damask të mërkurën.

Të enjten në mbrëmje, presidenca siriane njoftoi një marrëveshje të re të ndërmjetësuar nga palët arabe dhe amerikane. Sipas marrëveshjes, trupat qeveritare filluan të tërhiqeshin nga Suwayda për të ulur tensionet.

MARKETING