Turqia lëshon urdhra arresti për Netanyahun dhe zyrtarë të tjerë izraelitë për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid
Një gjykatë në Stamboll lëshoi sot urdhra arresti për 37 të dyshuar, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Gaza, si dhe për sulmin ndaj Flotiljes Globale Sumud, anijet e së cilës u sulmuan dhe sekuestruan në tetor në ujëra ndërkombëtare teksa po dergonin ndihma humanitare në enklavën palestineze, transmeton Anadolu.
Fletarrestimet janë lëshuar me kërkesë të Kryeprokurorisë së Stambollit, e cila tha në një deklaratë se si rezultat i “gjenocidit sistematik dhe krimeve kundër njerëzimit” të kryera nga shteti i Izraelit në Gaza deri më sot, mijëra persona, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën, mijëra të tjerë janë plagosur dhe zonat e banimit janë bërë të pabanueshme.
Duke kujtuar se vajza gjashtëvjeçare Hind Rajab u vra me 335 plumba nga ushtarë izraelitë më 29 janar 2024, deklarata theksoi: “Që nga 7 tetori 2023, veprime të tilla kanë vazhduar të përshkallëzohen çdo ditë. Më 17 tetor 2023, sulmi ndaj Spitalit Baptist Al-Ahli mori 500 jetë; më 29 shkurt 2024, ushtarët izraelitë shkatërruan qëllimisht pajisjet mjekësore; më 21 mars 2025 u bombardua Spitali i Miqësisë Turko-Palestineze; shumë objekte të tjera shëndetësore u sulmuan në mënyrë të ngjashme; Gaza u vendos nën bllokadë dhe viktimave iu mohua qasja në ndihmë humanitare”.
Deklarata shtoi se kjo situatë tërhoqi vëmendjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa aktivistët në bordin e Flotiljes Globale Sumud ishin nisur drejt Gazës për të dërguar ndihma humanitare, por u sulmuan nga marina izraelite në ujëra ndërkombëtare.
U theksua se u nis një hetim “ex officio” për këtë sulm, në bazë të nenit 12 dhe 13 të Kodit Penal të Turqisë, nenit 15 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe dispozitave të Konventës së OKB-së për të Drejtën Detare, për krime si “torturë”, “plaçkitje e rëndë”, “dëmtim prone”, “privim nga liria” dhe “rrëmbim ose ndalim i mjeteve të transportit”.
Sipas deklaratës, viktimat e ndaluara nga Izraeli u dërguan me avion në Turqi më 4, 7, 9 dhe 10 tetor, ku iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe psikologjike në Institutin e Mjekësisë Ligjore të Stambollit, dhe raportet iu dorëzuan prokurorisë.
“Zyra e Kryeprokurorit mori dëshmitë e personave në cilësinë e viktimave dhe paditësve, ndërsa iu dërguan shkresa Drejtorisë Provinciale Policore të Stambollit dhe Organizatës Kombëtare të Inteligjencës për të zbuluar të vërtetën materiale dhe për të identifikuar personat me përgjegjësi penale”, thuhet në deklaratë.
Gjatë hetimit, përfaqësuesit ligjorë të viktimave paraqitën gjithashtu peticione në prokurori lidhur me procesin, ndërsa Oda e Avokatëve të Stambollit nr. 2 paraqiti kallëzim penal të premten, thuhet në deklaratë.
“Në dritën e provave të mbledhura, është përcaktuar se zyrtarët e shtetit të Izraelit mbajnë përgjegjësi penale për veprimet sistematike të ‘krimeve kundër njerëzimit’ dhe ‘gjenocidit’ të kryera në Gaza, si dhe për veprimet ndaj Flotiljes Globale Sumud”, theksohet më tej.
“Është përcaktuar se të dyshuarit nuk mund të kapen pasi nuk ndodhen aktualisht në Turqi. Me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik, më 7 nëntor 2025, Gjykata Penale e Paqes e Stambollit lëshoi urdhra arresti për 37 të dyshuar, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ministrin e Mbrojtjes Yisrael Katz, ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, shefin e shtabit të përgjithshëm Eyal Zamir dhe komandantin e marinës David Saar Salama, me akuza për ’krime kundër njerëzimit’ sipas nenit 77 dhe ‘gjenocid’ sipas nenit 76 të Kodit Penal të Turqisë”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, prokuroria shtoi se hetimet po zhvillohen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.

