Turqia i përcjell protestë Iranit për raketën balistike që hyri në hapësirën ajrore turke

Turqia i përcjell protestë Iranit për raketën balistike që hyri në hapësirën ajrore turke

Duke thirrur përfaqësuesin e Iranit, Ministria e Jashtme e Turqisë përcolli protestën e saj lidhur me një raketë balistike të lëshuar nga Irani që hyri në hapësirën ajrore turke para se të interceptohej, transmeton Anadolu.

Ambasadori iranian në Ankara, Mohammad Hassan Habibollahzadeh, u thirr në ministri dhe iu kërkua një shpjegim për incidentin.

Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare tha se një raketë balistike e lëshuar nga Irani dhe që hyri në hapësirën ajrore të Turqisë u neutralizua nga asetet ajrore dhe mbrojtëse raketore të NATO-s të vendosura në Mesdheun Lindor.

Në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X, ministria tha se disa mbeturina nga raketa ranë mbi toka të zbrazëta në provincën juglindore Gaziantep të vendit, duke shtuar se nuk pati viktima apo të plagosur.

Tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm në shkallë të gjerë kundër Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri tani më shumë se 1.200 persona, përfshirë liderin suprem iranian Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë ushtarakë.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme të gjera, duke shënjestruar baza amerikane, objekte diplomatike dhe personel ushtarak në të gjithë rajonin, si dhe disa qytete izraelite.

MARKETING