Turqia dënon vendimin e Izraelit për të ndryshuar statusin e Xhamisë Ibrahimi në Bregun Perëndimor

Ministria e Jashtme e Turqisë dënoi sot përpjekjet e Izraelit për të ndryshuar statusin e Xhamisë Ibrahimi në qytetin El-Halil (Hebron) të Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu.
“I hedhim poshtë përpjekjet e Izraelit për të ndryshuar statusin e Xhamisë Ibrahimi në El-Halil dhe për të uzurpuar autoritetin e popullit palestinez”, tha ministria në një deklaratë.
Të martën, media izraelite raportoi se Tel Avivi hoqi autoritetin administrativ të komunës së El-Halilit mbi Xhaminë Ibrahimi dhe ia caktoi atë një këshilli kolonësh.
“Agjencitë përkatëse të OKB-së, veçanërisht UNESCO, dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të marrin masa kundër kësaj përpjekjeje, e cila përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe sulm ndaj vlerave njerëzore”, shtoi ajo.
Xhamia Ibrahimi, e njohur edhe si Varri i Patriarkëve, është një vend i shenjtë si për myslimanët, ashtu edhe për hebrenjtë. Tensionet mbi kontrollin dhe aksesin e kanë bërë prej kohësh xhaminë një pikë të nxehtë në konfliktin izraelito-palestinez.
Kjo masë e Izraelit shënon ndryshimin e parë të madh në statusin e xhamisë që nga rekomandimet e vitit 1994 të Komisionit Shamgar, i cili ndau aksesin, duke i caktuar 63 për qind të xhamisë besimtarëve hebrenj dhe 37 për qind myslimanëve.
Kjo ndarje pasoi masakrën e vitit 1994 nga koloni ekstremist Baruch Goldstein, i cili vrau 29 besimtarë palestinezë gjatë namazit të sabahut.
Xhamia ndodhet në Qytetin e Vjetër të El-Halilit në një zonë nën kontrollin e plotë izraelit ku jetojnë rreth 400 kolonë të paligjshëm nën mbrojtjen e rreth 1.500 ushtarëve izraelitë.