Turqi, për herë të parë një grua emërohet në krye të Bankës Qendrore

Turqi, për herë të parë një grua emërohet në krye të Bankës Qendrore

Dr. Hafize Gaye Erkan u bë gruaja e parë që është emëruar në krye të Bankës Qendrore të Republikës së Türkiye-s (TCMB), transmeton Anadolu.

Vendimi për emërimin e saj në krye të TCMB me nënshkrim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, u publikua në “Gazetën Zyrtare”.

Me këtë emërim, Hafize Gaye Erkan u bë gruaja e parë e emëruar në këtë post.

– Kush është Dr. Hafize Gaye Erkan?

Erkan e lindur në vitin 1982 në Istanbul ka diplomuar në vitin 2001 në Universitetin “Boğaziçi” në Departamentin e Inxhinierisë Industriale.

Më pas ajo studimet i ka vazhduar në SHBA, ku ka diplomuar për doktoraturë në Universitetin “Princeton” në fushën e kërkimit operacional dhe inxhinieri financiare. Erkan gjithashtu përfundoi dy programe trajnimi për shkencat e menaxhimit në Shkollën e Biznesit në Harvard dhe lidership në Universitetin “Stanford”.

Karrierën e saj e filloi në vitin 2005 në Goldman Sachs, përderisa shërbeu për 9 vjet këtu Erkan këshilloi bordet e drejtorëve dhe ekipet e drejtuesve të bankave të mëdha dhe kompanive të sigurimit në SHBA për menaxhimin e bilancit, testimin e stresit dhe planifikimin e kapitalit, menaxhimin e rrezikut, bashkimet dhe blerjet.

Erkan në vitin 2014 filloi të punojë në “First Republic Bank” ku për rreth 8 vite ishte si bashkë-kryetare (Co-CEO), kryetare, anëtare bordi, drejtore e investimeve, drejtore e depozitave dhe bashkëdrejtore e riskut.

Erkan, e cila ishte anëtare e Bordit të drejtorëve për 2 vjet në Tiffany & Co, një kompani stolish me seli në SHBA, iu bashkua Bordit të drejtorëve të Marsh McLennan, një kompani globale konsulence financiare e përfshirë në Fortune 500, në vitin 2022.

Sipas hulumtimit të San Francisco Business Times të vitit 2018, Erkan ishte gruaja e vetme nën moshën 40 vjeç që mbante titullin e presidentes ose drejtores ekzekutive (CEO) në 100 bankat më të mëdha të SHBA-së.

Erkan, e cila ka ekspertizë në banka, investime, menaxhim të riskut, teknologji dhe inovacion dixhital, shërben gjithashtu në Këshillin Këshillimor të Departamentit të Kërkimeve Operacionale dhe Inxhinierisë Financiare të Universitetit “Princeton”.

MARKETING