Trump: Vazhdimi drejt një marrëveshjeje paqeje është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se vazhdimi drejt një marrëveshjeje paqeje do të jetë “mënyra më e mirë” për t’i dhënë fund luftës në vazhdim mes Rusisë dhe Ukrainës, pas një telefonate me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqësit evropianë, transmeton Anadolu.
“U përcaktua nga të gjithë se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës është të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje, e cila do ta përfundonte luftën dhe jo thjesht në një Marrëveshje Armëpushimi të cilat shpesh nuk mbahen”, tha Trump në kompaninë e tij të rrjeteve sociale Truth Social.
Komentet e tij erdhën disa orë pas një samiti në Alaskë me presidentin rus, Vladimir Putin. Ky ishte takimi i parë mes presidentëve rus dhe amerikan që nga fillimi i luftës në Ukrainë gati tre vjet e gjysmë më parë.
Duke e cilësuar takimin e tij me Putinin si “shumë të mirë,” ashtu si edhe telefonatën pasuese me Zelenskyyn dhe disa udhëheqës evropianë, Trump konfirmoi se homologu i tij ukrainas do të vizitojë Washingtonin të hënën pasdite.
“Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë do të caktojmë një takim me presidentin Putin. Potencialisht, jetët e miliona njerëzve do të shpëtohen”, shtoi ai.
Më herët, Zelenskyy në platformën sociale të kompanisë amerikane X tha se do të takohet me Trumpin në Washington të hënën për të “diskutuar të gjitha detajet që kanë të bëjnë me përfundimin e vrasjeve dhe luftës”.