Trump thotë se po punon për të “ushqyer njerëzit” në Gaza

Trump thotë se po punon për të “ushqyer njerëzit” në Gaza

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se po punon për një plan për të ofruar ndihmë ushqimore dhe mjekësore për palestinezët në Gaza mes kufizimeve të vazhdueshme të Izraelit në ofrimin e ndihmës humanitare shumë të nevojshme, transmeton Anadolu.

“Ne duam t’i ndihmojmë njerëzit. Ne duam t’i ndihmojmë ata të jetojnë. Ne duam t’i ushqejmë njerëzit. Është diçka që duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë”, tha Trump në një telefonatë të shkurtër me faqen e lajmeve Axios.

Komentet e tij erdhën derisa i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, vizituan qendrat e ndihmës në Gaza të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Trump tha se ende nuk është informuar për vizitën, por e lavdëroi të dërguarin amerikan për “punën e shkëlqyer”.

Dje, Trump pranoi se në Gaza ka “uri të vërtetë”.

“Është e tmerrshme ajo që po ndodh atje. Po, është një gjë e tmerrshme. Njerëzit janë shumë të uritur”, tha ai.

Vizita u zhvillua mes kritikave në rritje ndaj koordinimit SHBA-Izrael në Gaza, veçanërisht në lidhje me modelin e shpërndarjes së ndihmave nga grupi GHF, për të cilin palestinezët thonë se shërben si një mjet për zhvendosje nën maskën e ndihmës humanitare, si dhe një “kurth vdekjeprurës” për shumë nevojtarë palestinezë të ndihmës, me mbi 1.300 të vrarë që nga maji derisa prisnin për furnizime me ndihma.

Që nga 7 tetori i vitit 2023, të paktën 154 palestinezë, përfshirë 89 fëmijë, kanë vdekur nga shkaqe të lidhura me urinë.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka vazhduar me ofensivës brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 60.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.

MARKETING