Trump thotë se do ta shqyrtojë mundësinë e deportimit të Elon Muskut

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se do të shqyrtojë mundësinë e deportimit të miliarderit Elon Musk, ndërsa grindja e tyre u rindez për shkak të një projektligji shpenzimesh të mbështetur nga Republikanët, raporton Anadolu.
“Nuk e di. Do të duhet ta shqyrtojmë”, u tha Trump gazetarëve kur u pyet nëse do ta deportonte Muskun.
Komentet e tij erdhën pasi shefi i kompanive Tesla dhe SpaceX riktheu kritikat e tij për një projektligj për uljen e taksave dhe shpenzimet gjithëpërfshirëse dhe u zotua të formojë një parti të re politike nëse miratohet nga Kongresi.
Trump sugjeroi që Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) duhet të rishikojë subvencionet për kompanitë e Muskut.
“Ndoshta duhet ta vendosim DOGE-n mbi Elonin. E dini çfarë është DOGE? DOGE është përbindëshi që mund të duhet të kthehet dhe ta hajë Elonin”, tha ai.
Eloni është “shumë i mërzitur” sepse humbi mandatin për automjetet elektrike, tha Trump, duke shtuar se miliarderi “mund të humbasë shumë më tepër se kaq”.
Marrëdhënia midis Trumpit dhe Muskut, dikur e karakterizuar nga bashkëpunimi dhe mbështetja e ndërsjellë, është përkeqësuar në një grindje shumë publike dhe të ashpër që kur Musk filloi të kritikonte projektligjin në fund të majit.
Muajin e kaluar, Musk propozoi themelimin e një partie të re politike, duke i pyetur ndjekësit e tij në X nëse është “koha për të krijuar një parti të re politike në Amerikë që në të vërtetë përfaqëson 80 përqindëshin në mes”.
Më vonë, Musk mbështeti sugjerimin e një mbështetësi për ta emëruar partinë e re “Partia Amerikane”, ngjashëm me America PAC (Komiteti i Veprimit Politik) që ai themeloi vitin e kaluar, i cili shpenzoi 239 milionë dollarë duke mbështetur Trumpin dhe Republikanë të tjerë në zgjedhjet e vitit 2024.